Vazhdojnë në Tiranë protestat e studentëve të universiteteve për nje reformë te gjithanshme të arsimit në vend. Menjëherë në imagjinatën e përbashkët kjo protestë është lidhur me atë të 28 viteve më parë, edhe ajo e ndërmarrë në dhjetor, edhe ajo e përbërë nga studentët, të cilët sollën rrëzimin e regjimit komunist. Fuqia simbolike është shumë e fortë, megjithatë dy protestat duken akoma larg njëra-tjetrës në natyrë dhe në aspirata.

Pas më shumë se dy javësh studentët duken akoma mjaftueshmërit të motivuar për të shtyrë qeverinë të pranoj 8 pikat që i janë parashtruar. Analiza e këtyre 8 pikave shkon përtej qëllimit të këtij artikulli, i cili do të përqendrohet në shkaqet e mundshme të kësaj lëvizjeje dhe do të arsyetoj mbi pasojat që ajo mund të ketë në të ardhmen.

Protesta e studentëve, edhe pse filloi si një protestë veçanërisht arsimore, ka marrë gjithmonë e me shumë nuancat e një lëvizjeje më të gjerë anti-sistem. Edhe nëse studentët nuk kanë përqafuar haptazi një retorikë të tillë, mund të vëzhgojmë gjithsesi disa tipare tipike të protestave të ashtëquajtura anti-establishment (kundër zyrtarëve në institucione). Fillimisht protesta nuk ka asnjë ngjyrosje politike: është ndërmarrë nga të tërë studentët, pra ka një përfshirje me të vërtetë horizontale. Kësaj i duhet shtuar fakti që studentët gëzojnë mbështetjen e pjesës më së madhe të qytetarëve të tjerë, të cilët shohin në këtë lëvizje një forcë shndërrimi dhe reformimi në vend.

Një tjetër element është rebelimi kundrejt të tërë klasës politike. Kjo është një cilësi e spikatur, pasi është protesta e vetme me të cilën asnjë nga forcat politike të rrënjëzuara mund të anëtarësohet. Në këtë atmosferë mosbesimi studentët nuk pranojnë as të ulen në tavolinën e tratativave (ose dialogut) me Kryeministrin Rama, duke ju frikësuar humbjes së forcës që kanë në numrin e tyre të madh. Megjithatë nën lenten e qortimit dhe akuzave nuk shkon vetëm qeveria e tanishme, po më shumë se 25 vjet politikë në jetën demokratike të vendit: politikë e cila nuk ka arritur të zhvilloj një arkitekturë arsimore, sociale dhe të punëdhënies së tilla që të jenë një alternativë e vlefshme kundrejt emigracionit.

Pikërisht ky duket sikur është një nga shkaqet e shtuara (përveç 8 pikave specifike) të kësaj proteste: alternativa për një jetë më të mirë jashtë vendit. Shtypja e jetës së studentit nuk mbaron me diplomimin e tij nga universiteti, por vazhdon në botën e punës. Një botë e cila nuk e vlerëson në mënyre të mjaftueshme intelektin dhe dijeninë kombëtare, por e cila i shtyn të emigrojne për të gjetur një jetë më të mirë. Fenomeni i njohur si “brain drain” (largimi i tryrit) ka venë në një pozitë të vështirë Shqipërine[1], dhe nga një pikëpamje afatgjatë do të rëndoj shumë në zhvillimin e vendit dhë në mbartjen e sistemit pensionist dhe të mirëqënies sociale.

Një shkak më i thellë i kësaj proteste është niveli i korrupsionit në vend. Protesta pra ndërthuret me një ndenjë anti-korrupsioni gjithëpërfshirësh, i cili është një nga plagat e hapura të vendit. Dhjetëra vite keq administrim dhe korrupsion kanë rënduar jo vetëm në arsimin shqipëtar por edhe në shumë sektore të tjera të vendit. Në këtë mënyrë nuanca anti-sistem e protestës shënohet akoma më shumë.

Gjithsesi Shqipëria në vitet e fundit ka parë një zhvillim ekonomik dhe social të rëndësishëm. Përqindja e rritjes vjetore të GDP-së (prodhimi i brendshëm bruto) ka qenë gjithmonë e më e lartë[2]. Qeveria ka ndërmarrë disa reforma, sidomos në mandatin e parë (2013-2017), ndërsa në këtë mandat reforma më e rëndësishme vazhdon të jetë ajo e vetting-ut. Megjithatë po kjo Qeveri po krahasohet me protestën më të madhe të këtij lloji prej vitesh. Pra pavarësisht nga zhvillimi dhe reformat e mundshme, prapëseprapë shfaqet një protestë shumë e fortë kundër institucioneve. Ky fenomen njihet si “efekti Tocqueville”, dhe merr emrin e diplomatit francez të shekullit të XIX-të Alexis de Tocqueville, i cili e ka përshkruar këtë efekt në librin e tij më të njohur “Demokracia në Amerikë”. Sipas efektit Tocqueville revoltat më të forta dhe të dhunshme kundrejt pushtetit qëndror zhvillohen në momentin kur gjërat fillojnë të përmirësohen. Kur prapambetja dhe abuzimi i pushtetit janë totalë, asnjë pabarazi vërehet nga syri i njerëzve. Por kur gjërat fillojnë dhe përmirësohen, edhe një pabarazi e vogël sjell popullin në kryengritje[3]. Pra kur pabarazia është rregulli, të tëra gjërat duken të lejueshme. Ndërsa kur gjërat shkojnë drejt barazisë çdo parregullsi ndihet akoma më shumë.  

Në këtë pikë bëhet i nevojshëm një refleksion mbi sistemin partiak shqipëtar. Mospërfshirja e forcave të rrënjëzuara politike, mbart jo vetëm një peshë në përcaktimin e lëvizjes si anti-sistem, por mban hapur mundësine e strukturimit të forcave të reja politike. Nëse tani është gjithsesi shpejt për të përcaktuar nëse parti politike të reja do lindin, mund të konstatohet që me shumë mundësi nëse një parti e re do lindë do ketë tipare anti-establishment dhe do krijohet si alternativë kundrejt partive tradicionale, për më shumë duke i refuzuar këto të fundit.

Pasojat e kësaj protesteje mbi qeverinë janë të kushtëzuara nga sa kohë protesta do ketë forcë të shkojë perpara pambarimisht. Përzgjatja e protestës do ta dobësoj shumë qeverinë përpara elektoratit. Në këtë moment Qeveria Rama është në një pozitë më të mirë, sepse ka pranuar të tërë pikat e parashtruara nga studentët dhe ka hapur mundësinë e dialogut për zgjidhjen e problemeve arsimore. Megjithatë, nëse protesta përshkallëzohet edhe më shumë, atëherë barra do ti vihet akoma më shumë qeverisë që nuk po zgjidh dot situatën, për më tepër duke e përkeqësuar atë.

Gjithsesi protesta mbërrin larg ndërrimit të ciklit politik qëndror, meqënëse zgjedhjet vendore të ardhshme do të kryhen në vitin 2021. Pra Qeveria Rama ka akoma shumë kohë për të thithur shuplakën, nëse arrin të reformoj në mënyrën e nevojshme. Përsa i përket zgjedhjeve administrative të vitit që vjen, ato kanë llogjika më lokale. Në këtë mënyrë, Partia Socialiste nuk rrezikon shumë nga protesta për zgjedhjet bashkiake, sidomos në Tiranë ku rikonfirmimi i Erion Veliajt nuk duket në luhajte. Karrigia më në rrezik në këtë moment është patjetër ajo e Ministres së Arsimit Lindita Nikolla, e cila si në fjalimet e saj në Kuvend edhe në deklaratat e saj në media duket mëse e goditur nga kjo situatë. Nuk mund të hidhet poshtë as mundësia që Qeveria Rama, për të ruajtur qëndrueshmërine e Këshillit të Ministrave, të kerkojë shkarkimin nga detyra të Ministres.


[1] Edison Kurani, IMF: Albania is suffering a “brain drain”, access in education is poor, Independent Balkan News Agency, 5 shtator 2017.

[2] Shiko World Bank Data ketu: https://data.worldbank.org/indicator/NY.GDP.MKTP.KD.ZG?locations=AL

[3] Alexis de Tocqueville (1840) Democracy in America, Libri Kater, Kapitulli Tre.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s